Nga sherri në TV tek videot në Tik Tok, kush janë babai e gjyshja që akuzohen se shfrytëzonin 10 vjeçarin

Këtë të mërkurë policia njoftoi mbi arrestimin e dy personave, nënë e bir, të akuzuar për shfrytëzimin e një fëmije 10 vjeçar në krijimin e videove banale e ofenduese në Tik Tok, me qëllim përfitimin monetar.

Të arrestuarit janë 67 vjeçarja Natasha Rombula dhe i biri 43 vjeçar, Armando Kumaraku. Denoncimin ndaj tyre e ka bërë ish bashkëshortja e 43 vjeçarit, nëna e 10 vjeçarit i cili sipas akuzës shfrytëzohej nga i ati dhe gjyshja për e klikime e ‘gifte’ në rrjetin social Tik Tok, duke e bërë pjesë të videove me përmbajtje vulgare apo të papërshtatshme.

Por në fakt, historia e përplasjeve mes ish bashkëshortes së 43 vjeçarit dhe vjehrrës së saj, e ka pikënisjen disa vite më parë, kur çështje e diskutimit ishte kujdestaria e djalit. Në vitin 2017, nëna e fëmijës së bashku me vjehrrën u përballën në një emision televiziv, përballje e cila u krye në disa puntata të emisionit.

Gruaja pretendonte se i shoqi (me të cilin ishte në prag divorci) nuk e lejonte të merrte fëmijën, ndërsa vjehrra pretendonte se ajo nuk ishte e aftë ta mbante djalin dhe se shqetësimi i saj i vetëm ishte puna si mësuese. Gjatë puntatave të emisionit, akuzat e kundërakuzat mes gruas e vjehrrës përfunduan pa asnjë sheshim të mosmarrëveshjeve.

Veçse tanimë, historia e përplasjeve familjare ka marrë një tjetër kthesë. Konflikti mbi 6 vjeçar nuk është shuar dhe tanimë ka përfunduar me akuza të rënda penale.

Nëna e djalit 10 vjeçar e quajtur Eglantina, është personi që ka bërë kallëzimin penal ndaj ish bashkëshortit e ish vjehrrës. Autoritetet kanë hetuar për afro dy muaj rastin, derisa kanë vendosur mbi arrestimin e 67 vjeçares dhe 43 vjeçarit.

Në lidhje me rastin mjafton një kërkim i thjeshtë në rrjetin social, për t’u përballur me një sërë videosh me përmbajtje të papërshtatshme, ku fjalori banal dhe i rëndë është kthyer në normalitet.

Prej kohësh tanimë, platforma e Tik Tok në Shqipëri është kthyer në një vend ku përmbajtja banale, shpesh herë e dhunshme ka sjellë dhe pasoja tepër të rënda, deri tek shkaktimi i vetëvrasjes.