Ngjarja e pazakontë në Austri, banorët e një qyteze në protestë: Ka shumë turistë

Hallstatt është një qytezë me veçse 700 banorë, por vendi atje është pjesë e vendeve në trashëgiminë botërore, duke u bërë kësisoj një vend i pëlqyeshëm për turistët.

Por banorët e qytezës mendojnë krejt ndryshe. Ata kanë dalë në protestë kundër ardhjes së turizmit masiv në qytezën e tyre, e cila vizitohet nga afro 10 mijë turistë brenda ditës.

BBC raporton se banorët atje kanë thënë se thjesht ka shumë turistë e se autoritetet duhet të limitojnë numrin e autobusëve që vijnë në Hallstatt. Në protestë, banorët kanë kërkuar po ashtu që pas orës 17:00 të pasdites, të mos ketë më autobusë që sjellin turista.

Edhe pse turizmi masiv ka sjellë të ardhura në ekonominë e qytezës, shumë prej banorëve thonë se ka thjesht shumë vizitorë.

Për shkak të arkitekturës së bukur dhe peisazheve mbresëlënëse të Alpeve, shumë vizitorë shkojnë në Hallstatt për të kapur ‘fotot perfekte’. Në maj të këtij viti, banorët e qytezës nritën një mur me paleta druri në disa prej zonave ku turistët fotografojnë, duke bllokuar kësisoj pamjen e alpeve.