Ngjarja e pazakontë në Fier… mbi 5 tonelata peshk të ngordhur në rezervuarin e Petovës

Mbi 5 ton peshk të ngordhur kanë mbushur bregun e rezervuarit të Petovës në Fier.

Duket se temperaturat e larta të ditëve të fundit janë shkaku i ngordhjes masive të peshqve në këtë rezervuar.

Kështu tregon drejtori i Bujqësisë pranë Bashkisë së Fierit, Ferrik Avdia, i cili tha para medias se ngodhja e peshkut është shkaktuar nga rënia e ndjeshme e oksigjenit në ujë, ardhur nga temperaturat e larta e mungesa e reshjeve.

Ngordhja e peshqve rrit ndjeshëm rrezikun e përhapjes së një epidemie në kushtet kur kafshët e egra mund të shpërndajnë peshqit e sëmundje në tokat bujqësore.

Institucionet lokale në Fier kanë informuar Ministrinë e Bujqësisë, pasi ata nuk i kanë kapacitetet për të ndërhyrë dhe normalizuar situatën. Ministria ka dërguar specialistët e saj për të marrë masa.

Një situatë e tillë e pazakontë ndodhi afro dy muaj më parë në rezervuarin e Kurjanit në Roskovec.