Ngjarje e dhimbshme në Itali, maturanti shqiptar përplaset për vdekje në vijat e bardha

Një aksident tragjik ndodhi mbrëmjen e djeshme në Lignano Sabbiadoro (Udine) të Italisë fqinje, atje ku nj 19 vjeçar shqiptar ka humbur jetën.

Kevin Murataj po kalonte rrugën në vijat e bardha, në momentin kur një makinë e ka përplasur. Kevin ishte drejtuar për të festuar mbrëmjen e maturës dhe sapo kishte dalë nga piceria ku punonte.

I riu u dërgua me urgjencë në spitalin e Lignano-s, por fatkeqësisht mjekët s’mundën të bëjnë dot gjë, shqiptari u shua si pasojë e plagëve të marra.

Siç raporton media italiane, shoferi i automjetit që goditi shqiptarin, ishte një 21 vjeçar, banues në Codroipo. I riu u arrestua nga autoritetet.

“Ishte një djalë i thjeshtë, i edukuar dhe punëtor i palodhur me shumë projekte e ëndrra për të ardhmen”

Këto ishin fjalët e pronarit të picerisë ku punonte i riu gjatë fundjavave.

“Ishte përherë i buzëqeshur, një djalë me mendje në kokë… e mbi të gjitha, kishte dëshirë të jetonte, të realizonte ëndrrat e tij”-tha një prej miqve të të ndjerit.