Nipi 20 vjeçar rreh xhaxhain në Mat, pas sherrit për motive banale

Një 20 vjeçar në fshatin Drita në Mat është vënë në pranga pas dhunës së ushtruar ndaj xhaxhait të tij 58 vjeçar. Përleshja ka nisur pas një debati për motive të dobëta mes nipit e xhaxhait. Policia ka marrë njoftim në orët e mbrëmjes dhe ka parandaluar përshkallëzimin e situatës, duke arrestuar të riun. Këtij të fundit i janë gjetur e sekuestruar edhe disa armatime që ai mbante në banesë

“Menjëherë pas njoftimit se rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme, në fshatin Drita,  për motive të dobëta, një 20-vjeçar po dhunonte xhaxhain e tij shtetasin P.K., 58 vjeç, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat,  shkuan menjëherë në vendngjarje. Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme,  u bë e mundur parandalimi i mëtejshëm i këtij konflikti, si dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit K.K., 20 vjeç, banues në fshatin Drita, Mat”, njoftoi policia.

Gjatë kontrollit të banesës së 20-vjeçarit, iu gjetën të fshehura dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 34 copë fishek, 2 granata, 8 ndezëse granatash, 1 qytë dhe 1 krehër arme.