Një 16 vjeçar shpëtoi, 3 familjarë po kërkohen në lumin Lepenc në RMV… gjithçka dihet për tragjedinë e familjes shqiptare

Ekipet e kërkim shpëtimit nga Maqedonia e Veriut si dhe nga Kosova, vijojnë kërkimet për gjetjen e tre pjesëtarëve të një familje nga Kosova, e cila ra në rrjedhën e lumit Lepencë ditën e djeshme, në afërsi të rrugës Shkup- Bllacë, fill pas një aksidenti me një tjetër automjet.

Tv21 nga RMV, raporton duke iu referuar Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, se në makinën me targa të Kosovës ndodheshin 4 persona, njëri prej të cilëve ka shpëtuar. Ky i fundit, 16 vjeçar, është dërguar me urgjencë në spital.

Kërkimet për gjetjen e tre anëtarëve të tjerë të familjes nga Kosova po zhvillohen në kushte mjaft të vështira, pasi lumi ka qenë tepër i rrëmbyeshëm. Në disa zona kërkimi, ku thellësia e ujit është e konsiderueshme, kërkimi i polumbarëve ka qenë tepër i vështirë.

Në orvatjet për kërkime, është bashkuar dhe Kosova, njoftim të cilin e bëri Ministri i Brendshëm Xhelal Zveçla.

“Aktualisht ndodhen 30 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe vullnetarë profesionistë të kërkim shpëtimit, të cilët në koordinim dhe bashkëveprim me ekipet profesionale të Maqedonisë së Veriut janë duke e bërë maksimumin e tyre në lokalizimin dhe nxjerrjen e personave nga lumi.”-shkroi Zveçla përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Ndërkohë këtë të dielë, institucionet e RMV-së bënë të ditur se e kanë arrestuar drejtuesin e mjetit i cili u përplas me makinën me targa të Kosovës. Fjala është për një shtetas nga Maqedonia e Veriut, makina e të cilit ka goditur mjetin ku udhëtonte familja nga Kosova, e cila mandej ka rënë në lumë.

“Në momentin kur ka arritur paralelisht te vetura me targa të Kosovës “BMW” e cila ka lëvizur në të njëjtën kolonë, dy veturat janë afruar dhe janë përplasur njëra me tjetrën, pas së cilës vetura me targa të Kosovës me katër udhëtarë ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në lumin Lepenc”, thuhet në kumtesën e institucioneve të RMV-së.

Rrëfimi i një prej dëshmitarëve okularë

Një taksist nga Kosova ka treguar për median në vendin e ngjarjes, se ka parë aksidentin që solli në rënien e veturës në Lepenc.

“Duke ardhur nga Shkupi, minutat kanë qenë në pyetje që kur ka ndodhur aksidenti, të gjitha copat e plastikës i kemi parë në asfalt, copa të parakolpit, duke mos e menduar se është vetura atje poshtë. Kur e pamë një “Tauran” me tabela të Shkupit, ngjyrë hiri e mbyllur, ne menduam se vetëm ai është rrokur, por e shihnim dhe kërkonim edhe makinën tjetër. Kur ka piskatur nga atje poshtë, atje ku ka rënë vetura me njerëzit brenda, nuk shihej vetura, kjo shenjë shumë e keqe për mendimin tim, por ai që piskaste, për besë, po më vjen keq ta flas këtë fjalë, por nuk e kam pasur guximin që të afrohem as aty afër të shoh se e kam ditur se është e pamundur, se veç Allahu mund të iu ndihmojë dhe kushdo qoftë, jemi njerëz, ishalla çka vjen prej Zotit duhet të pajtohemi, veç duhet pasur shumë kujdes. Edhe timoni është një lloj arme për mendimin tim. S’kam koment më shumë. Ngushëllime familjes dhe duhet pasur kujdes sa më shumë, se po shoh çka mos”, tha taksisti nga Kosova.

Reagimi i Behgjet Pacollit

Në orët e para të së dielës, Behgjet Pacolli postoi në rrjetin social, duke dhënë dhe emrat e familjarëve që kishin rënë në lumë.

“E përjetoi me dhimbje tragjedinë e familjes Pacolli, këtë mbrëmje në Maqedoni ku Naim, Merita dhe Ermal Pacolli, humben jetë. Zoti i mëshiroftë të ndjeret e Shkëlqimit i uroi shërim të shpejtë. Lutem për këtë familje!”-shkroi Pacolli.