Një depo e një kompanie tregtare është përfshirë nga flakët në qytetin e Pejës, duke krijuar një shtëllungë masive tymi. Zjarri ka qenë i përmasave të mëdha, ndërsa sipas të dhënave të deritanishme 8 persona kanë kërkuar trajtim mjekësor në spital.
Fatmirësisht rezulton të mos ketë patur jetë të rrezikuara nga zjarri i madh, por vetëm dëme materiale.
Sipas Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, disa persona u paraqitën me shenja helmimi nga tymi.
“Në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë deri më tani janë duke u trajtuar 8 pacientë nga rasti i djegies së një objekti në Pejë. Pacientët janë duke u trajtuar te spitali ynë dhe gjendja e tyre është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë dhe janë raste kryesisht të helmuar nga tymi”, thuhet në reagim.