“Një ditë para, erdhi në zyrën time” Avokati mbrojtës: Ngjarjet që çuan 50 vjeçarin t’i marrë jetën kunatit

Mbrëmjen e të martës 50 vjeçari Fatmir Talellari i mori jetën kunatit të tij 33 vjeçar Erjon Pelivani, fill pasi mësoi se ky i fundit prej vitesh përdhunonte, shantazhonte e i kërkonte para të bijës së tij 18 vjeçare.

Së fundmi mbi ngjarjen ka folur avokati mbrojtës i Talellarit, i cili ka treguar se 24 orë para krimit, 50 vjeçari ka shkuar në zyrën e avokatit së bashku me të bijën, me qëllim për të mësuar sesi të vepronte e denonconte rastin.

“Ai (babai) u informua në orët e para të mëngjesit të së hënës pasi kërkonte të sqaronte se çfarë bëhej me paratë e qirasë. Pas një bisede me të bijën ai u informua rreth përdhunimeve dhe shantazheve, por vajza nuk e zbuloi emrin. Ata erdhën të hënën në zyrën time për të diskutuar se si të përballen me këtë problem. Dua të them që ishim gati për të ngritur një padi sapo vajza të na tregonte kush ishte personi. Se cili ishte ai, babai e mori vesh në orët e para të së martës pas një presioni të vazhdueshëm ndaj të bijës”, tregoi avokati Michalis Vasilikos për televizionin grek SKAI.

Pas presioneve nga i ati, 18 vjeçarja është dorëzuar dhe i ka treguar të atit se përdhunimet kanë ndodhur në shtëpinë e tij. Ajo i ka treguar se është ngacmuar seksualisht qëkur ishte 9 vjeçe, ndërsa përdhunuar mes moshës 12 e 14 vjeçare.

“33-vjeçari kishte akses të lirë në shtëpi. Përdhunimet ndodhën brenda në banesë. Dhe në fakt këto incidente ndodhnin kur në shtëpi ndodhej edhe vëllai më i vogël i vajzës, i cili asokohe ishte 4 vjeç. Ai kishte akses të lirë në shtëpi dhe prindërit ishin në punë. Siç duket ai e shikonte kur ata largoheshin nga shtëpia… Në moshën 14 vjeçare (vajza), duke u rritur, fëmija i ka thënë se nëse do të vazhdonte do të tregonte gjithçka. Por kur ai kishte nevojë për para kthehej sërish me video për ta shantazhuar”, tha avokati.