Një grua i mori jetën 34 vjeçarit në Itali? Vrasje e Klaudio Myrtajt vishet në mister, prokuroria flet për “krim të bërë keq”

 “Këtu në Vernante nuk ka ndodhu kurrë diçka e tillë”.

Kështu shprehen plot banorë të komunës së vogël në Val Vermenagna, të cilët ende janë të tronditur nga vrasja e një 34 vjeçari shqiptar të quajtur Klaudio Myrtaj. I riu, murator me profesion, u gjet në fund të jetës në një punishte të vogël zdruktharie ditën e shtunë. Ai ishte qëlluar me një plumb në kokë, ndërsa jetën e humbi rrugës për në spital.

Klaudio shkonte në punishte për të ndihmuar një mikun e tij, punën e zdruktharisë e kryente për hobi shkruan media italiane. Në kohën kur pronari (i moshuar) i punishtes kishte dalë për të mbushur me karburant mjetin, një person i paidentifikuar ka ardhur në punishte dhe ka qëlluar 34 vjeçarin me armë.

Prokuroria nuk ka ka hedhur poshtë deri më tani asnjë pistë, madje deri aty saqë në njërën syresh flitet për mundësinë se një grua ka qenë vrasësja.

“Nuk ka qenë e shtënë nga një profesionist. Kemi përballë një krim të bërë keq, diletantësh”.

Kjo ka qenë dhe i vetmi reagim i bërë nga prokuroria, siç theksoi media italiane.

Ndërkohë që vrasja duket e veshur edhe me më shumë mister, në komunitetin e vogël atje, njerëzit thonë se Klaudio ishte një djalë për së mbari.

“Ishte djalë i mirë, i qetë dhe i buzëqeshur. Duket sikur e kanë vrarë për xhelozi. Çfarë sensi ka kjo? Të humbësh jetën në rini. Këtu në Vernante nuk ka ndodhur kurrë diçka e tillë”-tha një prej banorëve.