Një llamarinë u shkëput nga kamioni dhe e goditi… Historia tragjike e vdekjes së Klaudio Mirashit

Një histori horror ajo që ka ndodhur në Barcelonë e që i mori jetën Klaudio Mirashit, veçse 23 vjeçar.

Kështu shkruan media italiane në lidhje me një aksident të rëndë që i mori jetën një të riu me origjinë shqiptare, banues në Villorba (Treviso) të Italisë fqinje.

“Il Giornale D’Italia” shkruan se 23 vjeçari po udhëtonte me makinën e tij në Spanjë, kur papritur një copë metalike u shkëput nga një kamion që ecte para tij. Copa metalike qëlloi të riun, i cili mori plagë të rënda në fyt.

23 vjeçari u dërgua me urgjentë në spital dhe për disa ditë me radhë qëndroi në koma. Pavarësisht orvatjeve të mjekëve, Klaudio ndërroi jetë.

I riu ishte nisur drejt aeroportit për të ardhur në Itali, kur copa metalike afro 25 cm në gjatësi, qëlloi mbi makinën e tij e mandej në pjesën e fytit. Trupi i pajetë i të ndjerit mbërriti në Villorba dhe u dërgua për në banesën e fundit ditën e djeshme.

Media italiane raporton se nëna Mimoza, babai Koli dhe e motra Klaudia, janë të pikëlluar.

Ndërkohë hetimet mbi aksidentin tragjik vijojnë ende nga autoritetet spanjolle, për të hedhur dritë mbi atë që ndodhi. Në Villorba, i gjithë komuniteti ka mbajtur zi për ikjen e parakohshme të të riut.

“Lamtumirë Klaudio, miku im. Nuk u pamë dot prej kohësh, por kujtimet e bukura me ty do të jenë përherë në memorjen time. Më kujtohet si dje koha kur bashkë ishim në shkollë e në skuadrën e futbollit, por në veçanti më kujtohet dashamirësia jote. Na bëje të qeshnim dhe kjo është mënyra sesi unë dua të të kujtoj. Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes tënde. Ti nuk je më mes nesh, por do të jetosh brenda zemrës sime dhe të gjitha atyre zemrave që u solle mirësi.”-shkruante një prej miqve të të riut.