Një muaj në det në një varkë me mbi 100 persona… të paktën 60 emigrantë mbyten në Afrikën Perëndimore

Media e huaj raporton se më shumë se 60 persona dyshohet se janë mbytur në ujërat e Atlantikut, pranë brigjeve të Kepit Jeshil në Afrikën Perëndimore. Të paktën 39 persona të tjerë, përfshi këtu fëmijë, janë mundur të shpëtohen nga autoritetet në ishullin Sal.

Anija me emigrantë besohet se ka qëndruar për afro 1 muaj në det, ndërsa AFP raportoi se fillimisht ajo është pikasur të hënën. Ministria e Jashtme e Senegalit raportoi se anija është larguar prej një fshati në këtë shtet më 10 korrik, me të paktën 101 persona në bord.

Anija besohet se ka patur për destinacion ishujt Kanare (territor i Spanjës) i cili për shumë emigrantë është një rrugë drejt BE-së.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrantë (IOM) kjo është një prej rrugëtimeve më të rrezikshme që mund ta bëjnë migrantët.

Shifrat zyrtare flasin për të paktën 67 mijë emigrantë që kanë shkuar drejt ishujve spanjollë në periudhën 2020-2023… po për të njëjtën kohë, të paktën 2500 persona kanë humbur jetën në këtë rrugëtim të rrezikshëm