“Një në 22 milionë” Rasti i rrallë, gruaja i dhuron të shoqit veshkën

Prej 12 vitesh Daren Krid (Darren Creed) vuante nga një sëmundje e rëndë në veshka, por kurrë nuk do t’ja kishte marrë mendja se “shpëtimtaren” e kishte patur gjatë gjithë kësaj kohe… në shtëpi.

Muajt e fundit veshkat e burrit që punonte si kuzhinier u rënduan ndjeshëm, duke e përballur atë me një jetë në dializë konstante. Veshkat e 51 vjeçarit punonin veçse me 19% të kapacitetit, ndërsa pritja për një dhurues dukej një ëndërr e largët. Shumë familjarë të tij kryen analizat për të parë nëse mund të dhuronin, por për habinë e të gjithëve, shpëtimtarja e 51 vjeçarit do të bëhej e shoqja, Dona.

Si shumë të tjerë në rrethin familjar, edhe Dona kreu analizat për të parë nëse veshkat e saj do të kishin përputhje me veshkat e të shoqit. Burrë e grua e dinin se shanset ishin thuajse inekzistente…

“Nuk kisha shumë shpresë sepse e dija që shanset ishin shumë të vogla, por sa herë që kryenim testime, dilte se përputheshin, ishte e mrekullueshme e s’mund ta besonim”-rrëfeu Dona.

Burrë e grua hynë në operim dhe gjithçka shkoi mirë. Mjekët i thanë çiftit se shanset që veshkat e Donës të përputheshin me ato të të shoqit, ishin 1 në 22 milionë.

“Daren u zgjua nga transplanti si një njeri tjetër. Ishte sikur im shoq u rikthye pas 25 vite, sepse gjendja e tij ishte bërë tepër e rëndë. Kjo ishte një dhuratë e madhe për ne”-shtoi mandej Dona, 49 vjeçare.

Burimi: BBC/ Përshtati me disa shkurtime: FCH.al