Një oficer i policisë vritet në veri të Kosovës, gjithçka dihet deri më tani për ngjarjen e rëndë

Një oficer i policisë së Kosovës është vrarë në veri të vendit, ndërsa një tjetër është plagosur. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Banjskë, ndërsa viktima quhej Afrim Bunjaku.

Qeveria e Kosovës ka fajësuar Serbinë për krimin e rëndë, ndërsa së fundmi kryeministri Kurti ka publikuar disa pamje ku duken disa persona të maskuar e armatosur rëndë.

REL

Kurti ka thënë në një konferencë për media se vrasja e policit dhe plagosja e oficerit tjetër (Alban Rashiti) është kryer pikërisht nga kjo forcë me afro 30 persona.

“Vrasja e tij [zyrtarit policor] duhet të kthehet në angazhim edhe më të shtuar në luftimin e bandave, strukturave ilegale, krimit e terrorizmit, që e cenojnë sigurinë qytetarëve dhe rendin kushtetues. Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë e policë, të cilët ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore dhe të cilët i ftoj që të dorëzohen te organet tona të sigurisë”.-tha Kurti, teksa shtoi se personat në fjalë ndodhen në dhe përreth Manastirit në Banjskë, atje ku ndodhi edhe tragjedia me oficerin kosovar të policisë.

Kurti ka theksuar se si mjetet që mund të shihen në pamje, nuk janë në pronësi të asnjë banori serb lokal, “nuk kanë automjete të tilla, dhe asnjë civil tjetër në Republikën e Kosovës”.

Ne do t’u përgjigjemi terrorit dhe terroristëve. Ne jemi në anën e drejtë, po punojnë për siguri dhe rend e ligj. I ftoj të gjithë qytetarët që të ruajnë qetësinë dhe të tregojnë maturi, të lejojnë institucionet”, tha më tutje Kurti.

Policia njoftoi më herët sesi ndodhi ngjarja e rëndë, rreth orës 02:34 të mëngjesit.

Gjatë realizimit të detyrave policore, sot rreth orës 02:34 në Mitrovicë Veri, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhet, pasi e njëjta është bllokuar.

Njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveqan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërri në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë.”

Policia ka bërë të ditur se një tjetër është plagosur ndërsa një është lënduar.

Njësitet policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri. Zyrtarët policorë të plagosur janë tërhequr nga lokacioni dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë Jugu, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e njërit nga zyrtarët policor të plagosur rëndë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë, njëri i plagosur dhe tjetri i lënduar, sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë dhe të njëjtit janë transportuar në SHSKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Fehmi Hoti: Në Veri ka ende shkëmbim zjarri

Zv. Drejtori i Policisë së Kosovës Fehmi Hoti, , ka thënë se në Veri të Kosovës po vazhdon të ketë shkëmbim zjarri.

”Deri më tani që kemi informacione zyrtare është një të vrarë dhe dy kolegë që njëri është i lënduar tjetri i plagosur. Nuk ka informacione nga pala tjetër. Momentin që po flasim ka ende shkëmbim zjarri”, ka thënë Hoti.

Reagimi i SHBA-ve, ambasadori Hovenier: Sulm i dhunshëm e i orkestruar

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë Jeffrey Hovenier e ka dënuar ashpër ngjarjen e rëndë që ndodhi në Banjskë, duke u shprehur se sulmi ishte i ‘dhunshëm dhe i orkestruar’.

 “Policia e Kosovës ka legjitimitet të plotë për të garantuar sundimin e ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ne e pranojmë dhe respektojmë rolin e saj si përgjigja e parë ndaj emergjencave dhe situatave të krizës”, ka thënë ambasadori Hovenier.

Reagimi i Ramës: Thirrja e një konference paqeje është një domosdoshmëri

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është i mendimit se thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje është një domosdoshmëri për moslejimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës.

 “Tragjedia e humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Kosovës është këmbana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur. Kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën uniformën shtetëtore të forcave të rendit të Republikës së Kosovës, duhet të dalin përpara drejtësisë.

Komuniteti euroatlantik duhet të mbledhë të gjithë forcën e tij imponuese dhe të ulë pa kthim, Kosovën dhe Serbinë në tryezën e Dialogut të Normalizimit. Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikqyrjen e garancinë e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër, përpara sesa kriza e zgjatur në Veriun e Kosovës të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një zjarr destabilizues për krejt rajonin”, ka shkruar Edi Rama.