Policia ka vënë në pranga të fundit autor të përfshirë në një krim të rëndë të ndodhur një vit më parë në fshatin Hot i ri në Shkodër, atje ku mbeti i vdekur një njeri i pafajshëm i quajtur Valter Fjerza.
Në pranga ka rënë Luçian Mhilli, 22 vjeçar, i cili në bashkëpunim me dy vëllezërit e tij (të arrestuar po ashtu më herët) qëlluan me armë zjarri mbi 33 vjeçarin Valter Fierza.
‘Në vijim të punës për ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, në lidhje me vrasjen e shtetasit V. F., kryer pas një konflikti të çastit, në afërsi të një lokali në fshatin Hot i Ri, më datë më 21.09.2023, Sektori për Krimet e Rënda dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin L. M., 21 vjeç, banues në Shkodër. Për të, Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. 21-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me 2 vëllezërit e tij, të vënë në pranga nga Policia, ka vrarë shtetasin V. F., 33 vjeç.”,njoftoi së fundmi policia.
Më datë 21 shtator të vitit të kaluar (2023) Valter Fierza shkoi në përkrahje të të vëllait, i cili kishte patur një sherr me 5 anëtarë të fisit Mhilli për një çështje banale të parkimit të makinave në lagje. Autori vrasjes (Klodian Mhilli, i vetëdorëzuar në mars 2024) kishte bërë sherr me Kol Fjerzën se përse ky i fundit (vëllai i Valter Fjerzës) i kishte bllokuar rrugën për të parkuar makinën tek rrugica e lagjes. Me të shkuar atje dhe në orvatje për të shuar konfliktin, 33 vjeçari është qëlluar për vdekje me armë kallashnikov. Sapo ka parë Valterin të zbriste nga makina, Klodian Mhilli e ka qëlluar me automatik duke e lënë të vdekur në vend 33 vjeçarin. Trupi i pajetë i 33-vjecarit u gjet nga policia jashtë makinës, ndërsa autori dhe 4 të tjerët u arratisën.