23 ditë më parë, veçse 200 metër larg derës së shkollës ‘Fan Noli’ në Tiranë, një sherr që nisi për motive banale i kushtoi jetën Martinit, 14 vjeçarit që u godit me thikë në kraharor nga një bashkëmoshatar.
Së fundmi është zbardhur një pjesë e dëshmisë së babait të viktimës. Ëngjëll Cani u tha oficerëve të policisë se përgjatë 23 ditëve që prej ditës kur ndodhi tragjedia, nuk ka patur asnjë takim me familjarët apo prindërit e autorit të dyshuar, 14 vjeçarit që i mori jetën djalit të tij.
Babai i Martinit po ashtu deklaroi se shkolla nuk i kishte vënë në dijeni se djemtë ishin zënë pak ditë para se të ndodhte tragjedia, një akt që sipas tij mund të ishte bërë shkas për të parandaluar sherrin që i mori jetën të birit.
Ëngjëll Cani rrëfeu para hetuesve se ai ka mësuar gjithçka ka ndodhur kur ka mbërritur në spitalin e Traumës, kohë kur ai mori lajmin e dhimbshëm se i biri nuk kishte mundur t’ja dilte.
Organi akuzës i ka kthyer këtë të mërkurë familjes, edhe sendet personale të Martinit, çantën e librat që ai kishte me vete ditën kur humbi jetën.
Martini 14 vjeçar humbi jetën më 18 nëntor, fill pas përfundimit të orës së mësimit. Gjithçka nisi javën e kaluar, pas një sherri banal me autorin e dyshuar, 14 vjeçarin Martin Përlleshaj. Veç të ndjerit, i plagosur mbeti dhe shoku i tij Luisi, i cili së fundmi u nis për kurim të specializuar në Italinë fqinje.
Autori i dyshuar i krimit po ashtu u (vetë)plagos në parakrah me thikë, plagë për të cilën mori trajtim në një spital privat në kryeqytet. Ditë më vonë pasi mësoi masën e arrestit me burg, autoritetet e dërguan në institutin e dënimit për të miturit në Kavajë, atje ku ai do të presë deri në përfundimin e gjykimit. Pala mbrojtëse e 14 vjeçarit, së fundmi vendosi të apelojë masën e arrestit me burg.
Vrasja e 14 vjeçarit solli një reagim të madh në të gjithë Shqipërinë, në veçanti për çështjen e sigurisë së fëmijëve por edhe tjera çështje si ajo e rolit të rrjeteve sociale tek rinia e sotme.