“Një vajzë e vogël erdhi, vetëm qante, babai vrau mamin thoshte” Detajet e trishta, vajza gjeti të ëmën e pajetë në rrugë

Vajza e 40 vjeçares Enkelejda Danaj ishte ajo e cila u tregoi autoriteteve se trupi i pajetë që u gjet në një rrugë të Menidit në Greqinë fqinje, i përkiste nënës së saj.

Kështu thonë ata që u bënë dëshmitarë të momentit kur vajza e Enkelejdës erdhi pranë vendit të ngjarjes në gjendje shoku dhe duke qarë.

Një prej banoreve aty dha një dëshmi me të vërtetë të dhimbshme, teksa përshkruante sesi vajza e kishte kuptuar se diçka i kishte ndodhur të ëmës, pasi ajo nuk kishte shkuar në punë.

“Një vajzë e vogël erdhi pranë skenës së krimit dhe tha se “mbase është mamaja ime”, ndërkohë që vetëm qante. Ajo i tregoi një foto policisë dhe kështu ato mundën që të identifikojnë mamanë e saj. Ajo tha se e ëma nuk kishte shkuar në punë sot dhe pasi i tregoi foton policisë tregoi se babai i saj e ka vrarë atë”, tha dëshmitarja sipas asaj që raporton Protothema.

 “Po fliste në celular dhe thoshte, “më vranë mamin, më vranë mamin”, ishte shumë e shokuar. Ajo fliste dhe thoshte “ndoshta babai e vrau atë, e gjeti rrugës për në punë”, tregoi dëshmitarja.

Enkelejda Danaj u gjet e pajetë në afërsi të një kryqëzimi rrugësh në orët e mëngjesit të së enjtes nga një kalimtar. 40 vjeçarja kishte ende në trup thikën me të cilën ishte goditur në pjesën e barkut.

Nga të dhënat e mbledhura deri më tani, i dyshuar kryesor i krimit është ish i shoqi, të cilin ajo e kishte denoncuar të paktën 3 herë në polici përgjatë 3 viteve të fundit. 50 vjeçari do të përballej nesër me seancën e radhës në gjykatë, pasi ishte denoncuar disa ditë më parë nga  ish e shoqja për dhunë, kanosje e kërcënime me jetë.