“Njëherë e solla të nxirë në spital, aty me vete thashë më vdiq djali… mua, po më plas shpirti”

Elsi është ky vogëlush që shihni në foto. Ai është 16 muajsh dhe qëkur erdhi në këtë botë, ka njohur veçse dhimbje…

Nga inkubatori deri në shtratin me çarçafët e bardhë, Esli është rritur duke dalë dhe hyrë nga dyert e spitaleve. Të shumta rastet kur nëna e babai i vogëlushit janë përballur me frikën më të madhe që mund të pushtojë zemrën e shpirtin e një prindi… një moment të tillë, na e rrëfen babai i Eslit, ndërsa zëri i dridhet.

 “Kemi 16 muaj, thjesht rropatemi spitaleve… asnjë lloj shprese apo drite. Njëherë mbaj mend që e kam sjell këtu në spital, të nxirë… aty thashë (me vete) më vdiq! Ishte nxirë komplet, nuk merrte më frymë, e futën në reanimacion, në intubim. Mua më plas shpirti kur e mendoj sesa po vuan im bir”

Esli rrezikon jetën. Shanset janë të pakta në atdhe. Esli ka nevojë të largohet për kurim të specializuar, një shans që nëna e babai s’mundet dot t’ja japin të vetmit fëmijë, dritës që i mban zgjuar dhe të fortë në këto 16 muaj vuajtje.