“Nuk duhet marrë lehtësisht” Putin flet për armët nukleare dhe një tjetër premtim të rrezikshëm

Në ditën ku festohet 80 vjetori i zbarkimit të aleatëve në Normandi, moment i cili çoi në afrimin e fundit të Luftës së Dytë Botërore, Presidenti rus Vladimir Putin ka shtuar retorikën e fortë.

Në një bisedë me gazetarë në Shën Petërsburg, Putin u shpreh se Rusia është e gatshme të përdorë armët e saj nukleare, nëse vendet e NATO-s vijojnë t’i japin Ukrainës armë me rreze të gjatë të veprimit, për të goditur territorin rus.

“Për disa arsye, Perëndimi beson se Rusia nuk do të përdorë asnjëherë armët nukleare. Por ne e kemi një doktrinë, shikojeni se çfarë thotë. Nëse aksionet e dikujt kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial, ne konsiderojmë të mundshëm përdorimin e të gjitha mjeteve që kemi në dispozicion. Kjo (doktrinë), nuk duhet marrë lehtësisht apo në mënyrë sipërfaqësore”-tha Putin.

Disa ditë më parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhanë leje Ukrainës që të përdorë armët e marra prej tyre për të goditur rusët në Kharkiv, zonë në të cilën po zhvillohen aktualisht luftime të forta. Gjermania po ashtu pasoi duke u dhënë leje ukrainasve që armët e dhëna prej tyre të mund t’i përdorin edhe për të goditur objektiva brenda Rusisë. Një vendim i tillë u konsiderua i rëndë nga ana e Putin.

“Kur ata thonë se do të ketë më shumë raketa që do t’i drejtohen territorit rus, kjo padyshim që i rrënon relatat mes Rusisë e Gjermanisë”-tha Putin.

Putin gjithashtu tha se në kushtet kur vendet e NATO-s po i japin armatime Ukrainës, atëherë është e vendit që edhe Rusia të furnizojë vende mike të saj me armë, që do të mund të përdoren kundër perëndimit dhe aleatëve të tyre. Në vëmendje të vjen menjëherë Kosova…

“Nëse dikush mendon se është e mundur që të japë armë në një zonë lufte të cilat do të përdoren për të na goditur neve, pse ne nuk paskemi të drejtën që po ashtu të japim armë të të njëjtin klas në rajone të ndryshme të botës, të cilat do përdoren kundër tyre? Përgjigja mund të jetë asimetrike. Do ta mendojmë”-ka thënë Putin.