“Nuk e kuptova që theu këmbën, ndjesë” Lihet në burg edukatorja Majlinda Dehima, e akuzuar për dhunën ndaj 3 vjeçares

Gjykata e Tiranës ka refuzuar kërkesën e avokatit mbrojtës të edukatores Majlinda Dehima për një masë më të lehtë, duke e lënë gruan në ‘arrest me burg’, deri në përfundimin e hetimeve për një prej rasteve më dramatike të kohëve të fundit.

E akuzuar për dhunë të rëndë ndaj një 3 vjeçareje në një kopsht privat në zonën e ‘Ali Demit’, edukatorja përpara trupës gjykuese ka thënë se nuk e ka lënduar vajzën, pavarësisht se pamjet video të publikuara gjerësisht në media përgjatë ditëve të fundit, tregojnë ndryshe. Gjatë qëndrimit në kopsht, veç dhunës fizike, 3 vjeçarja ka thyer dhe njërën këmbë e sërish edhe për këtë rast, edukatorja është shprehur se nuk është e përfshirë.

“Nuk e kam prekur me dorë. Kërkoj ndjesë për çfarë ka ndodhur, por nuk e kam kuptuar që mitura e ka thyer këmbën”, mësohet të ketë thënë ajo në sallën e gjyqit.

Dehima punonte si edukatore në kopshtin privat, i cili rezultoi të ishte i palicencuar. Pas denoncimit të prindërve në një emision investigativ, pamjet video tregonin sesi gruaja e qëllonte me vizore 3 vjeçaren si dhe momentin e keqtrajtimit kur e mitura theu njërën këmbë. Për më tepër, e mitura u la pa trajtim mjekësor për më shumë se 5 orë pas ngjarjes dramatike.

Edukatorja akuzohet për veprën penale ‘Keqtrajtim i të miturve”