Nga momenti kur i biri erdhi në jetë e deri më tani kanë kaluar 2 muaj. Por në vend të lotëve të gëzimit për Roenin e saj, Merita është pushtuar prej mëse 60 ditësh nga vuajtjet. Foshnja është diagnostifikuar me hidrocefali (ujë në kokë) dhe rrezikon jetën.
Në vend të lumturisë, kjo nënë ka 2 muaj që nuk ndalon së qari.
“Djali është diagnostifikuar me hidrocefali… (qan) në atë moment kur na thanë mjekët, ishte një tmerr i vërtetë. Nuk doja t’i besoja veshëve të mi, se çfarë po dëgjoja. Kam dy muaj që e laj këtë vend me lotë, jam e pashpesë, e pafuqishme për ta ndihmuar.”-thotë Merita.
E përveçse lotëve, syve të kësaj nëne i është larguar qetësia e gjumit, e shplodhjes. Ajo tregon për “Shqiptarët për Shqiptarët” se frika ia ka pushtuar zemrën, se mos, kur ajo mbyll sytë, i biri ikën nga kjo botë.
“Nuk mundem as të fle, më ndjek se diçka do t’i ndodhi djalit… (qan) është një tmerr i vërtetë. Më mirë t’i mbyll unë sytë përpara atij. Qëndrimi këtu për djalin është rrezik. Shpresa vetme është që djali të dërgohet në Itali. I lutem të gjithë shqiptarëve, të na ndihmojnë.”-thotë Merita.