Për ditë më radhë ka parë sesi trupi i të bijës është konsumuar dalëngadalë nga plagët e shkaktuara prej një aksidenti fatkeq. E për ditë me radhë kjo nënë ka qarë, në pamundësi për t’i shëruar plagët e hequr dhimbjen të bijës. E asaj i kanë mbetur veçse lotët dhe përgjërimi që bën përmes tyre për ndihmë.
“Vajza 10 vjeçe më është djegur, në 70% të trupit, grada e tretë. Pas djegies ajo ka dhe infeksion, rrezikon jetën. Ka shumë dhimbje, i dhembin plagët, i kullojnë gjak.
Nuk ia heq dot fashot se ulërin, i dhembin shumë plagët. Është tmerr për mua. Është shumë e rëndë ta shikoj vajzën në atë gjendje, pa lëvizur, pa ecur. “-rrëfen për “Shqiptarët për Shqiptarët” nëna e 10 vjeçares.
Ermela ka nevojë të dërgohet sa më parë për kurim të specializuar (në Itali) përmes avionit sanitar. E sërish lotët janë ato që mbeten për këtë nënë… sepse ajo nuk ka mundësi të përballojë kostot e larta të kurimit. Ajo që i ka mbetur kësaj nëne janë vuajtjet dhe shpresa e madhe se shqiptarët bamirës do t’i bëjnë realitet dëshirën e vetme… dëshirën e çdo nëne në këtë botë, që fëmija i tyre të jetë mirë.
“Frika është mos e humbas vajzën. Duhet të niset urgjentisht sepse vajza nuk ka asnjë përmirësim, asnjë plagë nuk i është shëruar, asnjë plagë nuk i është mbyllur.
Por trajtimi është shumë i shtrenjtë, nuk kemi mundësi. Ju lutem që të më ndihmoni që vajza ime të shpëtojë jetën, ju lutem.”– thotë Shpresa, ndërsa lotët e saj vijojnë ende.