“Nuk jetoj dot pa ty”, Tiranë: 45 vjeçari i hap profile të rreme në rrjetet sociale një 23 vjeçareje

Policia e kryeqytetit ka vënë në pranga një 45 vjeçar i cili kishte përndjekur e më pas hapur profile false në rrjetet sociale kundrejt një vajzë në moshën 23 vjeçare.

Në profilet false në rrjetet sociale, 45 vjeçari Gentian G. postonte mesazhe denigruese. 45 vjeçari i cili rezulton të jetë i martuar dhe me fëmijë, e ka përndjekur të renë, duke i shkruar dhe mesazhe të tipit “nuk jetoj dot pa ty”. 23 vjeçarja ka bërë kallëzim në polici, ndërsa sektori i krimit kibernetik ka ndjekur rastin.

Njoftimi i policisë:

Përndoqi për një kohë shumë të gjatë një shtetase, duke i hapur asaj profile false në rrjete sociale, me përmbajtje denigruese, dhe duke i sjellë shqetësim asaj dhe familjarëve, pas një hetimi shumë të shpejtë dhe profesional, të specialistëve për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim parandalimin e situatës së krijuar, vihet në pranga 45-vjeçari.   

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, pas kallëzimit të bërë nga një 23-vjeçare, se një shtetas i kishte hapur profile false në rrjete sociale, me përmbajtje denigruese, dhe e përniqte atë online për një kohë të gjatë, duke i sjellë shqetësime asaj dhe familjarëve, menjëherë organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Si rezultat, pas një hetimi shumë të shpejtë dinamik dhe të mirëfilltë, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Threat 2 “, u ndalua shtetasi G. G., 45 vjeç, banues në Tiranë.    

Nga verifikimet e kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, ka rezultuar se ky shtetas, duke i hapur profile false, me përmbajtje denigruese, 23-vjeçares, në rrjetet sociale, e ka përndjekur atë online për një kohë të gjatë, duke i sjellë shqetësim asaj dhe familjarëve.  

Materialet procedurale për këtë rast i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.