“Nuk ka cep të shtëpisë që nuk është shkrumbuar nga flakët… inshallah Zoti e shqiptarët na dalin në krah”

Pasi flakët i rrënuan shtëpinë, koha tashmë po i bren shpresat. Familja Uka nga Prishtina ka mbetur në qiell të hapur. E vetmja gjë që u mbeti, janë rrobat e trupit. Djali më i madh i familjes së 4 jetimëve, Adhurimi, tregoi për “Shqiptarët për Shqiptarët” se flakët nuk kursyen asgjë.

“Shtëpia është e dëmtuar, për ne kosto është e papërballueshme kosto. Nuk ka cep apo pajisje të shtëpisë që nuk janë dëmtuar prej flakëve. Po shihet edhe vetë, nuk ka mbetur asgjë për t’u shfrytëzuar… kurrgjë nuk ka shpëtuar.

Si i vogël gjithmonë jam munduar të bëj më të mirën për familjen, por dëmtimi tashmë është total, ne nuk kemi. Ato të ardhura që marrim, i kemi sa për të mbetur gjallë.”-tregon Adhurimi.

Në këto kushte të vështira, 21 vjeçari iu drejtua me një lutje për ndihmë shqiptarëve bamirës.

“Shpresa ka humb në momentin që është djegur shtëpia. Inshallah Zoti na ndihmon. Apeloj tek krejt bamirësit, që të bëjnë diçka për familjen time…”-përfundon Adhurimi.

Ndërkohë një prej vajzave të familjes Uka, tregoi se ishte në gjumë në momentin kur i vëllai e zgjoi dhe largoi nga flakët.

“U tremba shumë, ishte shumë shumë zjarr. Ishte bërë tym e nuk shihnim dot. Kemi vrapuar për të shpëtuar, asgjë tjetër. Kemi njëfarë paniku, tutemi mos ka sërish zjar.

Jena me të vërtetë shumë keq, është e tmerrshme se nuk ka mbetur më asgjë. Librat e shkollës, rrobat… kemi mbetur vetëm me rrobat e trupit.”-tha ajo.