Kjo e hënë shënon nisjen e muajit të madhëruar të Ramazanit. Ashtu si afro 2 miliardë muslimanët nëpër botë edhe besimtarët shqiptarë kanë nisur tanimë agjërimin, një prej 5 shtyllave të islamit.
Në veçanti është kënaqësi të shohësh se edhe moshat e reja respektojnë dhe ndjekin përmes agjërimit muajin e bekuar të Ramazanit, një kohë e cila afron mendjen dhe shpirtin kah Krijuesit të Gjithësisë dhe larg veseve e veprave jo të mira.
Më poshtë disa besimtarë të cilët japin mendimin e tyre për këtë fillim muaji të Ramazanit.
“I gjashti vit që agjëroj. Kam që 15 vjeç. Është një ndër ndjesitë më të bukura, më të mahnitshme që kam ndjerë ndonjëherë.”-thotë një djalë i ri.
“Jam 72 vjeçar e prej 60 vitesh agjëroj. Zoti e ka bërë obligim për të pastrua veten”-thotë një besimtar.
“Agjëroj prej 10 vitesh. Mendoj se Zoti e ka bërë obligim agjërimin që ne të krijojmë empati për njerëzit që ndoshta nuk i kanë të gjitha të mira që shumë prej nesh i kanë. Agjëroni dhe ndjejeni me shpirt sakrificën e madhështinë e këtij muaji, e gjithashtu bëni sa më shumë të mira sepse vlerësimi është edhe më i madh”-thotë një vajzë e re, besimtare.
“Jam 83 vjeç, agjëroj. Lum ai që agjëron.”-tregon një i moshuar.
“Është një ndjesi që nuk përjetohet në muajt e tjerë. Në këtë muaj përkushtimi është më i lartë, njëlloj si mirësitë. U uroj besimtarëve agjërim të lehtë e të pranuar.”-thotë një besimtar, djalë në moshë të re.
“Sigurisht që agjëroj, prej 30 vitesh e bëj. Të agjërosh për Zotin e gjithësisë, nuk ka kënaqësi më të madhe për njeriun, për shpirtin e njeriut.”-thotë një tjetër besimtar.
“Vjet ka qenë për herë të parë. Tani vetëm po pata ndonjë problem se nuk ka shanse ta lë më. Muaji i Ramazanit ishte i vetmi muaj që më ka dhënë qetësi shpirtërore. Unë kam qenë bixhozi, luaja me lekë shumë. E lashë në momentin që fillova të agjëroj. Më pas i kam lënë të gjitha. Elhamdulilah kam afro 1 muaj që falem. Duhet të vesh Allahun para çdo gjëje, sepse je i humbur pa të. Lexoni Kur’anin, mësoni dhe kthehuni tek Zoti, sepse është rruga e vetme e shpëtimit.”-tregon besimtari i ri.
“I pari vit është që agjëroj… jam i vonshëm, më faltë Zoti”-thotë një tjetër besimtar.