“Djali para dy vitesh, ka bërë aksident… më ka ardh si bombë lajmi.”
Këto janë fjalët e një babai nga Hasi, që nuk mundet dot më të shohë të birin në gjendjen që është. Dy vite më parë Noeli 9 vjeçar po kalonte rrugën me gjyshen, kur një motoçikletë e përplasi. Noeli qëndroi për disa kohë në spital, por gjendja e këmbëve të tij nuk u përmirësua.
9 vjeçari ka nevojë të operohet, por i ati Fatmiri thjesht nuk i ka mundësitë financiare. E varfëria ia ka gërryer shpirtin këtij babai. Fatmiri jeton me brengën e madhe se nesër mund të jetë shumë vonë… se nesër makthi mund të bëhet realitet e Noeli të humbë aftësinë për të ecur.
“Me të ardhurat që kam, ku të shkoj… shpresat i kam humbur komplet, se jam lodhur nëpër spitale. Më rëndë nuk ka më, do e kisha dashur veten të vdekur më mirë, sesa kështu. Kam vite që merrem në dyert e spitalit, as hasmin mos e pafsha në ato dyer, sepse spitali është shumë i rëndë.“-tregon Fatmiri.
I mbytur në lot dhe i dorëzuar përpara pamundësive ekonomike, Fatmiri i drejtohet për ndihmë shqiptarëve bamirës.
“I kërkoj ndihmë shqiptarëve, Elvis Naçit, kujto që ka mundësi…”përfundon rrëfimin e tij Fatmiri, ndërsa Noeli i hidhet në krahë, për t’i pushuar lotët babait.