Nuk kanë babë, nuk kanë shtëpi…. t’bëhemi bashkë, të shpëtojmë 4 fëmijë jetimë nga skamja

Në foton e mësipërme, gjeni portretet e 4 fëmijëve. Jetojnë në Shqipëri, janë të gjithë ende fare të vegjël. Njëra është e përbashkëta e tyre e vërtetë, e përbashkëta e tyre e hidhur. Të katër këta fëmijë janë jetimë, djem e vajza të dy baballarëve që janë larguar nga kjo botë.

Nën dritën e qiriut janë  Arjola 3 vjec me të vëllanë, Agimin 7 vjeçar. Jetojnë në fshatin Golem të Lushnjes, në një shtëpi që vetëm e tillë nuk mund të quhet. Babai i dy vogëlushëve ndërroi jetë ditën kur kishte blerë tortë për të gëzuar fëmijët, ditën kur kishte ditëlindjen.

Arjola e Agimi jetojnë në kushte skamnore. Ajo që ata quajnë shtëpi, është një rrënojë e ftohtë, pa dyer, pa dritare, pa drita, pa ujë, pa asgjë.

Portreti i dy fëmijëve të tjerë i përket Sidorelës e Frankos së vogël. Motër e vëlla u bënë dëshmitarë në vegjëli të një sëmundje të frikshme që i mori babanë.

Kryefamiljari u diagnostikua me kancer në mëlçi e mushkëri qershorin e kaluar. Pas luftës së përditshme për t’i siguruar bukën e gojës fëmijëve, Ardiani iku nga kjo botë në shtator 2024, me më të madhen brengë… që po linte në mëshirë të varfërisë dy fëmijët dhe të shoqen.

Në këtë muaj të madhëruar të Ramazanit, le të bëhemi bashkë për t’u ardhur në ndihmë dy familjeve, 4 jetimëve pa baba, 4 fëmijëve që jetojnë në kushte çnjerëzore e në varfëri të paimagjinueshme.