“Nuk ta sjellim më” Nëna akuzon prindërit e bashkëshortit të ndjerë: Më morën djalin, nuk e shoh prej 4 ditësh

Një nënë e re ka denoncuar para medias vjehrrin e vjehrrën e saj, duke thënë se prej 4 ditësh ata i kanë rrëmbyer djalin 3 vjeçar dhe refuzojnë t’ja sjellin.

Ile Gjuni rrëfen para medias se problemet me prindërit e bashkëshortit nisën kur i shoqi i saj ndërroi jetë, një vit më parë. Nëna thotë se ka lejuar gjyshërit që ta takojnë nipin e tyre, por kësaj here këta të fundit e kanë marrë djalin dhe nuk e kanë sjellë më që prej 4 ditësh.

Gjuni thotë se vjehrrit e saj jetojnë në Durrës, por me origjinë janë nga Kukësi, atje ku ajo dyshon se mund të jetë dërguar djali i saj 3 vjeçar.

Biseda e gruas me gazetarët

-Kur ta kanë marrë fëmijën, sa ditë u bënë?

-U bënë sot 4 ditë, ma kanë marrë që të Shtunën në mëngjes, e s’ma kanë sjellë…

Kur ka humbur jetën bashkëshorti juaj?

-Ka një vit e dy muaj që ka vdekur, dhe ata duan që të marrin çunin. Në fillim nuk ma jepnin,  kam ikur me zor. Ata s’pranonin. Vjehrri dhe vjehrra vinin çdo fundjavë, ua lija unë, jo me ligj. U thoja ikni te ligji, nuk pranonin. Ua kam lënë vetë… Disa orë, nga ora 9 e mëngjesit… Pastaj kur shkon ora 3, i marr në telefon u them ku jeni. Pse s’keni ardh? Më thanë “s’ta sjellim më”.

Çfarë bëtë ju?

-Ja direkt te policia. Shkova në shtëpi, s’ishte. Pastaj denoncova.

Çfarë ka bërë policia deri tani?

-I kanë marrë në telefon, u bënte presion dhe atyre. “Nuk e sjell, vetëm kur të ma japë mua çunin.” Kërkonte kushte, që ta marrë ai, të mos dalë jashtë shtetit. Ai nuk tregon se ku është fëmija. Thotë nuk e di, gënjen…

Nga jeni me origjinë?

-Unë jam nga Dibra, ata nga Kukësi. Duan që ta marrin ato. Ato jetojnë në Durrës, por nga Kukësi me origjinë.

Çfarë kërkoni ju si nënë?–Dua çunin tim, policia e shteti të ma sjellin. Ka 4 ditë që se kam parë, a është gjallë, a e kanë marrë jashtë shtetit. Dua fëmijën tim, të gjendet sa më shpejt!