Numri i lindjeve në Shqipëri me rënie historike, qarqet më të prekura në tremujorin e parë të 2023

Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave për tremujorin e parë të këtij viti, tregojnë një panoramë të zymtë për numrin e lindjeve në Shqipëri. Sipas INSTAT, ky tremujor shënon një rënie historike në shumë dekada për numrin e lindjeve, me fjalë të tjera në vend ka patur dukshëm më shumë vdekje sesa lindje.

Në tremujorin e parë për vitin 2023, INSTAT tregon se lindjet ishin 5.164, me fjalë të tjera thuajse 17% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri në fjalë është më i ulëti që pas viteve ’90.

Për shembull në vitin 2011, mesatarisht kishte 8 deri në 10 mijë lindje në tremujor, ndërsa këtë vit, numri është tek 5 mijë lindje.

Pavarësisht se numri i vdekjeve në Shqipëri (ashtu si në botë) ka rënë ndjeshëm pas pandemisë, sërish në tremujorin e parë të 2023, rezulton se ka 393 vdekje më shumë sesa lindje.

Qarku me numrin më të lartë të lindjeve mbetet Tirana me 1939 lindje, ndërsa ai me numrin më të ulët është Gjirokastra, me vetëm 77 lindje.

Në përqindje, rënien më të madhe e ka qarku i Lezhës, me plot 33,2% ulje, ndërsa rënien më të ulët e regjistron qarku Kukësit me 8.9%.