Më pak se 24 orë pas thirrjes për të ndihmuar Amarin e vogël, shqiptarët bamirës ia mundësuan foshnjes 2 muajsh udhëtimin dhe kurimin drejt Italisë fqinje.
Prej mëse 40 ditësh, nëna e babai i vogëlushit qëndruan pranë inkubatorit ku qëndronte i biri. Amari kreu 2 operacione, e sërish jeta e tij rrezikohej seriozisht për shkak të problemeve me stomakun dhe sistemin tretës.
I jashtëzakonshëm reagimi i shqiptarëve bamirës, të cilët në këtë muaj të bekuar të Ramazanit, i dhanë mundësinë një foshnje për t’u kuruar dhe në dashtë i madhi Zot, për t’u rikthyer shëndoshë e mirë në atdhe.
Mes lotëve dhe drobitjes 40 ditore, nëna e babai i Amarit falenderuan shqiptarët, ata bamirës që mundësuan atë që ata nuk mundeshin.
“Jam shumë e lumtur, i falenderoj nga zemra të gjithë shqiptarët dhe Elvis Naçin që na japin këtë mundësi për të shkuar jashtë shtetit. Shpresoj shumë që me djalin të kthehem shëndoshë e mirë, faleminderit të gjithë shqiptarëve.”-thotë nëna e Amarit mes lotëve.
E teksa i biri po bëhej gati për t’u nisur drejt aeroportit, Altini shkon pranë Amarit. Vogëlushi ka hapur sytë dhe përtej xhamit, shikon babain që mbush në lotë inkubatorin…
“O shpirti i babit, uroj të vish sa më shpejt tek motra jote. O zemra ime, kur do të vish ti tek babi…(qan)
E pasi përqafon të shoqen, Altinin e zënë sërish lotët… shpërthen në të qara dhe vrapon pranë dritares së autoambulancës, për të parë edhe njëherë të birin.
“O ylli babit, do të bëhesh më mirë. O yll bote, Amari, të pret babai ty. Uroj të vish me dëhsndet o bir”
Neve nuk na mbetet veçse të urojmë shërim të plotë për Amarin e vogël. Dashtë Zoti, na i dëgjon lutjet për Amarin.