Të birin 10 vjeçar prej kohësh tashmë e sheh në spital, me vigonët që i përshkrojnë venat. Vetëm kjo pamje e hedh përtokë shpirtin e këtij babai nga Shkodra, i cili përballet me më të madhen sprovë që mund të durojë një prind… djali i tij 10 vjeçar, Noeli, është i prekur nga leuçemia akute.
Iliri mundohet që para se të hyjë në dhomën e të birit, të ndalojë lotët, por në plot herë, zemra e tradhëton. Kjo është biseda e një babai të dorëzuar, që mundohet t’ja mbajë lart shpresën djalit me leuçemi.
Iliri, babai: Të du shumë fort… ça të ka babi ty?
Noeli: Shok, shpirt, zemër, dashuri…
Iliri: Po zemër, ti je dashuria ime… (qan). Ej o zemër, a do të jemi një skuadër? Do ta kalojmë?
Noeli: Po
Iliri: Do ta kalojmë (qan).
Noeli: Po unë kam sëmundje të keqe?
Iliri: Jo mor bush, nuk ke sëmundje të keqe. S’je vetëm, bëhu i fortë ok? Me ndihmën e të gjithëve (qan), ne do të bëhemi të fortë ok?
Noeli: Ok
Iliri: Mos qaj shpirt, mos qaj… ti je zemra jeme. Ok, jemi të fortë? Do të na ndihmojnë të gjithë…
Noeli ka nevojë urgjente për t’u kuruar jasht shtetit, por familja nga Shkodra nuk ka asnjë mundësi financiare për të përballuar kostot e larta të kurimit. Iliri me të shoqen i luten për ndihmë shqiptarëve bamirës.