Oficeri u përball me të shoqen para se të qëllonte 45 vjeçarin, gruaja pranoi lidhjen jashtëmartesore

Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me plagosjen e rëndë që ndodhi në ‘komunën e Parisit’ në Tiranë, atje ku një efektiv i policisë qëlloi disa herë me armë një inxhinier të ERE-s, i quajtur Lorenc Kosta.

Në materialin hetimor të policisë së kryeqytetit, thuhet se efektivi Erjon Goxhara ka patur një takim me të shoqen herët në mëngjes, për ta përballur atë me dyshimet se po e tradhëtonte me inxhinierin e ERE-s, kolegun e punës.

Takimi ka ndodur në një qendër tregtare dhe është shoqëruar me debate e tensione mes bashkëshortëve. Në takim ka qenë dhe nipi i oficerit Goxharra.

Oficeri kishte mësuar që në korrik se e shoqja kishte patur marëdhënie me kolegun e punës. Një fakt të tillë e konfirmon dhe djali i mitur i çiftit, i cili në praninë e psikologut ka treguar se nëna e i ati kishin konflikte nga mesi i korrikut, kohë ku sipas tij nëna ka pranuar se ka patur lidhje ‘vetëm një herë’ me kolegun e punës, të plagosurin Lorenc Kosta.

Fill pas takimit të tensionuar në mëngjes, oficeri Erjon Goxhara ka nisur përgatitjet. Ai e ka mbajtur nën vëzhgim Lorenc Kostën. Më datë 19 gusht (e hënë) në zonën e ‘Komunës së Parisit’ në kryeqytet, Goxhara ka dalë nga makina dhe ka qëlluar mbi Kostën. Policia gjeti në vendin e ngjarjes 6 gëzhoja. Pasi e ka qëlluar në këmbë disa herë, oficeri është ngjitur në makinë dhe është larguar me shpejtësi.

Pas krimit, Goxharja ka telefonuar dhe më pas takuar djalin e tij të mitur. Së bashku, kanë udhëtuar me taksi drejt zonës së Freskut, atje ku dy oficerë të veshur civil, e kanë ndjekur por pa mundur ta arrestojnë.

“Rreth orës 14:35 më ka marrë në telefon babai im dhe më ka thënë se kishte plagosur Lorencin me armë. Unë e kam pyetur i revoltuar se përse e bëri. Pas kësaj telefonate më ka marrë sërish dhe më ka thënë që të dilja te rrethi i Shkozës pasi do të shkonim në zonën e Freskut. Unë kam dalë në vendin ku më tha ta prisja. Pasi babi ka ardhur te rrethi i Shkozës në këmbë, ne kemi marrë një taksi dhe jemi nisur për në zonën e Freskut. Sapo kemi mbërritur te zona e Thesarit të Shtetit, kemi zbritur të dy nga taksia dhe shoferit të taksisë i tha të priste kurse mua më tha që ta ndiqja. Menjëherë në këtë moment sapo kemi zbritur na janë afruar 2 punonjës policie të veshur civil të cilët e kanë thirrur në emër babain tim dhe ai sapo i pa u largua me vrap mes pallateve”-ka treguar djali i autorit.

Oficeri vijon ende të jetë në arrati. Ai ka folur me drejtues të policisë së shtetit, të cilët i kanë kërkuar të vetëdorëzohet. Në kundërpërgjigje, Goxhara u ka thënë se më mirë vret veten sesa të kalbet në burg.

I plagosur vijon ende të jetë në spital, për shkak të plagëve të shumta dhe humbjes së konsiderueshme të gjakut. Deri më tani, gjendja e tij shëndetësore është stabël.