OpenAI prezanton ‘Sora’, modelin e ri që kthen tekstin në video

Kompania OpenAI, krijuesja e ChatGPT, ka zbuluar së fundmi modelin e ri të inteligjencës së saj artificiale, e cila tashmë mund të krijojë video realistike duke u bazuar në tekstin që dikton një përdorues.

Modeli i tekstit të përkthyer në video quhet “Sora”.

“Sora është e aftë të gjenerojë skena komplekse me një seri karakteresh, me lloje specifike të emocioneve dhe detaje të sakta të subjekeve e sfondit.”-thotë Open Ai.

Deri më tani janë publikuar një seri me video të cilat janë mjaft realiste. Disa prej tyre duken si filmime të kryera me kamera edhe pse në fakt janë produkt virtual i një modeli që përdor inteligjencën artificiale.

Demostrimet e para të Sora-s kanë ngritur dhe shqetësimin për risqet që mund të sjellë ky model i inteligjencës artificiale, veçanërisht në një kohë zgjedhjesh në shumë shtete, përfshi këtu dhe ato në Shtetet e Bashkuara.

Vetë kompania OpenAI tha në një blog se do të marrë një sërë hapash për rritjen e sigurisë përpara lëshimit të Sora-s për publikun e gjerë.

OpenAI gjithashtu pranoi se ky model ka mangësitë e saj, përfshi këtu vështirësinë me vijimësinë e videos dhe aftësinë e modelit për të dalluar të majtën nga e djathta.

“Për shembull, një person në video mund të kafshojë një biskotë, ndërsa më tutje, biskota vijon të jetë e pakafshuar”-pranoi OpenAI.