Qeverisja 7 vjeçare e Lidhjes Social-Demokrate (LSDM) u rrëzua me votë nga qytetarët në Maqedoninë e Veriut, të cilët kanë votuar për partinë në opozitë, VMRO DPMNE.
Partia e opozitës u shpall fituese në zgjedhjet e dyfishta mbajtur më 8 maj për Presidentin dhe parlamentin e vendit.
Zgjedhjet për President

Sipas rezultateve paraprake të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, kandidatja e VMRO DPMNE-së për Presidente, Gordana Silanovska Davkova, fitoi me mbi 65% të votave, duke u bërë kësisoj e para Presidente grua në Maqedoninë e Veriut. Presidenti aktual Stevo Pendarovski, mori rreth 30% të votave.
Zgjedhjet parlamentare

Po sipas rezultateve paraprake të Komisionit Zgjedhor atje, partia në opozitë fitoi thellë zgjedhjet parlamentare me mbi 43% të votave apo 58 mandate nga 120 ulëset në parlamentin e Maqedonisë së Veriut.
Për herë të parë në histori, një parti shqiptare del në vendin e dytë në zgjedhje. Partia Bashkimi Demokratit për Integrim (BDI) e Ali Ahmetit i cili kryesoi koalicionin Fronti Europian, do të ketë 19 ulëse në parlament.
Një ulëse më pak rezulton të ketë LSDM-ja që qeverisi vendin për 7 vite.
Koalicioni i opozitës shqiptare VLEN, ka fituar 10.90% ose 104 mijë e 672 vota – 13 mandate.
E Majta dhe partia ZNAM, morën secila nga gjashtë vende deputetësh.
Mesazhet kryesore të fituesve të zgjedhjeve
Deklaratat e Presidentes

Si e para grua që bëhet Presidente që prej pavarësimit të vendit të saj, profesoresha Silanovska-Davkova tha se do të jetë Presidente e të gjithë qytetarëve të vendit, pa dallime.
“Nga ky moment do të sillem si presidente e të gjithë qytetarëve, të gjitha grupeve etnike, të gjithë anëtarëve partiakë, atyre që nuk janë në parti… sepse presidentja nuk mund ta bashkojë popullin dhe të kërkojë unitet nëse mban vija partiake”, tha ajo.
“Atë që e premtova në fushatën para zgjedhjeve, duke filluar nga zyrat popullore, përmes paraqitjeve në Parlament, përmes personaliteteve në Këshillin Gjyqësor, Gjykatën Kushtetuese dhe Këshillin e Sigurisë, se do t’i kryej në bazë të profesionalizmit, kompetencës dhe nuk do ta harroj diversitetin”, shtoi Presidentja e re e RMV-së.
Fqinjëve u bëri thirrje që ta mbështesin, siç tha, ballkanizimin, ta ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të jenë politikanë të vërtetë.
“Duhet të fillojmë ta kuptojmë njëri-tjetrin, ta ndihmojmë njëri-tjetrin, të mos kërkojmë veto, por të kërkojmë mbështetje. Rrugët e mia së pari çojnë në Ballkan, dhe, natyrisht, as Brukseli nuk është jashtë”, tha Silanovska-Davkova.

Deklaratat e Hristijan Mickoski, lideri i partisë fituese VMRO DPMNE
Mickoski, lideri i partisë fituese në zgjedhje, deklaroi se së shpejti do të fillojnë negociatat me partitë opozitare për koalicion. Mickoski u shpreh i bindur se qeveria do të formohet në një kohë të shkurtër.
“Jemi në një fazë të avancuar të bisedimeve për një pako të fortë investimi që do të ndihmojë ekonominë. Këtë nuk desha ta shpall para fushatës për të mos u politizuar e njëjta, por prisni që në 100 ditët e para shumë lajme të mira për qytetarët dhe ekonominë e Maqedonisë”, shtoi ai.
Koalicioni opozitar shqiptar VLEN, pritet të jetë forca e cila do të bëjë marrëveshje me VMRO-në, për krijimin e qeverisë.
“Koha është që BDI-ja, së bashku me LSDM-në, të kalojnë në opozitë. Populli ia dha leksionin më të rëndësishëm Qeverisë së sotme dhe shpëtoi vendin e tij”, tha lideri i VMRO DPMNE-së, Mickoski.
Ali Ahmeti: Jemi forca e dytë në vend

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti në paraqitjen e tij para mediave në selinë e partisë në Tetovë tha se Fronti evropian është forca e dytë politike në vend.
“Fronti për Evropë është fitimar e krenar. Të gjithë këta aktivistë na kanë bërë krenar sepse jemi forca e dytë politike, fronti evropian në shtet. Me një dallim me oponentin, e kemi pas oponent VMRO-në sepse e kanë ndihmu shumë VLEN-in. Por, dallimi është mbi 30 mijë vota. Qytetarët të cilët kanë vepruar në kuadër të Frontit Evropian janë për anëtarësim të pakompromistë të vendit në Bashkimin Evropian. Si alternativë e vetme, për të gjithë Maqedoninë e Veriut.”-tha Ahmeti.
Koalicioni VLEN: Shqiptarët na votuan neve

Bilall Kasami nga Lëvizja BESA, një prej liderëve të koalicionit opozitar shqiptar, ka falenderuar votuesit dhe ka thënë se VLEN ka fituar bindshëm mes qytetarëve shqiptarë
“Koalicioni VLEN është fitues absolut te shqiptarët. Kjo si rezultat i ardhjes së mërgimtarëve tanë. Prandaj ju them 100 mijë herë ‘faleminderit, faleminderit, faleminderit!’ të gjithë atyre që erdhën dhe bënë ndryshimin në atdhe!”. Prandaj në emër të 100 mijë votave koalicionit VLEN ju themi faleminderit”, tha Kasami.
Lideri i LSDM-së: Morën një grusht të fortë

Kryetari i LSDM-së Dimitar Kovaçevski e pranoi disfatën, duke thënë se partia që drejton mori një grusht të rëndë, një dënim për të cilin askush nuk është pa përgjegjësi. Ai nuk e përjashtoi mundësinë që së shpejti të largohet nga udhëheqja e partisë, duke njoftuar se do të ketë zgjedhje të reja në LSDM, përfshi dhe për kryetarin e partisë.
“LSDM-ja mori një grusht të rëndë. Kemi marrë dënimin nga votuesit. Askush nuk është realisht pa përgjegjësi”, tha Kovaçevski.