Një arsye krejt banale dyshohet të jetë shkaku e cili solli vdekjen tragjike të 24 vjeçarit Albert Deda e plagosjen e dy të tjerëve, pak ditë më parë në Padova.

Media Italiane ka raportuar se grupi i miqve (shqiptarë) kanë nisur të debatojnë poshtë pallatit ku jetonin, në lidhje me ardhjen e një shoku të ri dhome. Debati ka degjeneruar në përdorimin e thikave, konkretisht nga dy prej 5 shqiptarëve. Vëllezërit Ilmi e Klinton Rakipaj, 24 e 19 vjeç, kanë qëlluar me thikë tre bashkëpatriotët, duke lënë të plagosur dy e duke i marrë jetën Albert Dedës. Të plagosurit janë ende në spital, për shkak të plagëve serioze që kanë marrë.

Media italiane thekson se asnjë prej të rinjve nuk kishte precedentë penalë dhe se spekulimet për një krim të motivuar nga afera kriminale/droge kanë rënë poshtë, duke lënë në këmbë pistën se sherri ka nisur për motive banale.
Për ngjarjen e rëndë autoritetet kanë vënë në pranga dy vëllezërit. Dy të dyshuarit kryesorë u ndaluan fare pranë kufirit me Slloveninë. Vëllezërit po tentonin të arratiseshin nga Italia.
Media italiane informon se thika e përdorur për vrasjen e 24 vjeçarit, ka qenë një thikë kuzhine, mjet të cilin vëllezërit e kanë lënë në shtëpi.
Vëllezërit pritet të merren në pyetje këtë të mërkurë dhe të dalin para gjykatës për vlerësimin e masës së sigurisë. Të dy akuzohen për vrasje dhe tentativë vrasje.