Pamje dramatike, burri hap derën e emergjencës teksa avioni me 194 pasagjerë po ulej në pistë

Një burrë në të 30-tat është arrestuar fill pas uljes së një avioni që fluturonte në Korenë e Jugut e ku ndodheshin plot 194 pasagjerë. BBC publikoi pamjet video të momentit dramatik kur personi në fjalë hap derën e emergjencës, ndërsa avioni po ulej në aeroport.

Disa prej pasagjerëve humbën ndjenjat për shkak të vështirësisë për të marrë frymë, ndërsa më pas u dërguan në spital.

Avioni ishte nisur nga ishulli Jeju dhe do të mbërrinte në Kore. Burri e hapi derën teksa avioni ishte ende disa qindra metra mbi tokë dhe po ulej në pistë. Stjuardesat nuk kishin mundur ta ndalonin 30 vjeçarin që të hapte dyert, siç treguan për median lokale disa prej pasagjerëve. Dëshmitarët po ashtu treguan se burri tentoi të hidhej, pasi hapi derën.

“Ishte kaos total, me njerëzit që ishin pranë derës dhe po humbnin ndjenjat një nga një, ndërsa ekuipazhi kërkonte ndihmë nëse kishte doktorë në bord”-tha një prej pasagjerëve për agjencinë e lajmeve Yonhap.

“Mendova se avioni do të plaste, mendova se do të vdisja”-tha më tej pasagjeri 44 vjeçar.