Pamje dramatike, stuhia ‘Ciaran’ përmbyt Toskanën, të paktën 5 persona humbin jetën

Pas kaosit e përmbytjeve të mëdha që shkaktoi në Britani e Francë, stuhia “Ciaran” ka goditur Italinë fqinje, duke i marrë jetën të paktën 5 personave deri më tani. Zona më e goditur është rajoni i Toskanës, atje ku reshjet masive kanë përmbytur rrugë e dëmtuar rëndë dhjetëra e dhjetëra banesa e godina.

Mes viktimave ka patur edhe të moshuar, dy prej të cilëve në Prato (qytet pranë Firences), ndërsa një tjetër në një azil të moshuarish në Rosignano (pranë qytetit të Livornos). Në këtë zonë të fundit, u shënuan erëra me shpejtësi deri në 120km/h.

E mes viktimave ka edhe të humbur. Njëri prej tyre një zjarrfikës. Ky i fundit ishte jashtë shërbimit e po ndihmonte të atin të vendoste thasë me rërë, në momentin kur është marrë me vete nga rrjedha e vërshimeve të furishme të ujit.

Autoritetet po diskutojnë për mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në Toskana, ndërsa shkollat atje, në Fiuli-Venezia e Veneto janë mbyllur.

Kujtojmë se Italia ende nuk e ka ‘marrë veten’ nga dëmet e jashtëzakonshme që sollën përmbytjet në zonën e Emilia-Romagna, veçanërisht në muajin maj, kohë kur humbën jetën 14 persona dhe mijëra mbetën të pastrehë.