Pamje, i ftohti ekstrem shkakton kaos përgjatë Europës veriore

Shumë prej shteteve të Europës veriore po përballen me motin ekstrem dimëror, ndërsa autoritetet në vende si Gjermania, Danimarka, Norvegjia, Franca, Belgjika etj, kanë këshilluar qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi dhe të evitojnë daljet e panevojshme nga banesat.

Në Gjermani vetëm, reshjet e dendura të dëborës dhe stuhitë me erë detyruan autoritetet të pezullojnë afro 700 fluturime në aeroportin e Frankfurtit. Reshjet në zonat perëndimore e jugore të Gjermanisë sollën shumë aksidente rrugore, ndërsa shkollat e kopshtet u mbyllën.

Në Danimarkë po ashtu, erërat e forta dhe bora e dendur u bënë shkas për dhjetëra aksidente dhe pezullimin e transportit publik në disa zona të vendit.

Në Oslo të Norvegjisë, reshjet e dendura sollën uljen e ndjeshme të shikueshmërisë në rrugë, çka bëri që linjat e autobusëve të ndalonin shërbimin. Njëlloj ndodhi dhe në aeroporte, ku aeroporti i kryeqytetit u mbyll përkohësisht.

Në veri të Francë dhe në Belgjikë u shënuan po ashtu dhjetëra aksidente rrugore.