Pamje nga lart, të paktën 55 viktima e qindra të plagosur teksa ishulli Havajan digjet

Vijon të rritet numri i viktimave dhe të plagosurve në zjarrin masiv që ka kapluar ishullin Maui në Havai. Deri më tani autoritetet kanë raportuar për të paktën 55 vikima dhe qindra të tjerë të lënduar, ndërsa guvernatori Josh Greeen u shpreh se zjarri ‘ishte katastrofa më e madhe natyrore që ka goditur shtetin e Havait në të gjithë historinë e tij”, duke shtuar se 80% e zonës historike të qytetit të Lahaina, është shkrumbuar.

Si pasojë e flakëve që kanë marrë ‘përpara’ bimësinë dhe godinat, shumë turistëve i është dashur të hidhen në ujë e të qëndrojnë aty për orë të tëra për t’i shpëtuar rrezikut, raporton BBC-ja.

Ekipet e zjarrfikësve vijojnë ende të përballen me zjarret që nisën të martën dhe u ‘fuqizuan’ nga erërat e fuqishme që solli hurrikani Dora (stuhi e cila kalonte disa kilometra larg ishujve)

Presidenti i SHBA-ve Joe Biden ka lëshuar “një deklaratë të fatkeqësisë madhore”, e cila i hap rrugën lëshimit të fondeve për rimëkëmbjen.

Ndërkohë BBC-ja ka publikuar video të regjistruara nga lart, të cilat tregojnë më së miri nivelin e shkatërrimit që kanë sjellë zjarret në ishullin Maui.