Një tornado i fuqishëm me shpejtësi ere nga 265 deri në 320 km/h ka sjellë një tragjedi të shumëfishë në Misisipi të SHBA-ve, atje ku qindra njerëz mbetën pa banesë dhe të paktën 25 persona humbën jetën. Fuqia shkatërruese e tornados mandej shkoi në Alabama, duke rrënuar të tjera banesa e vrarë të paktën një tjetër njeri.
“Nuk ka mbetur asgjë”-tha për Associated Press një grua e quajtur Wonder Bolden, e cila në krahë mban mbesën e vogël. Shtëpia e saj, e trashëguar nga e ëma në Rolling Fork, tashmë është sheshuar nga tornado i fuqishëm.
Siç raportoi Shërbimi Kombëtar i Motit, tornado (EF-4) kishte shpejtësi ere të jashtëzakonshme, deri në 320 kilometër për orë. Autoritetet kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë nisur kërkimet nëpër rrënojat e banesave, ndërsa pamjet që përcjellin media vendase janë me të vërtetë të dhimbshme.
Shumë prej familjeve atje, të varfra, humbën edhe shtëpitë brenda pak minutave. Një situatë dramatike ndodhi edhe për pacientët që ishin të shtruar në spital. Një pjesë e mirë e spitalit në qytetin e Rrolling Fork u shkatërrua, duke detyruar punonjësit e pacientët që të largoheshin me shpejtësi prej aty.
Rodney Porter, një zjarrfikës që punon disa kilometra larg qytetit, tha se ende nuk e kupton sesi shumë njerëz mundën t’i mbijetojnë përballjes me tornadon.
“Ishte sikur të kishte rënë një bombë”-tha Porter, teksa shpjegonte sesi shtëpisë kishin ‘fluturuar’ dhe rënë mbi njëra- tjetrën.