Pamje të reja nga përplasja në Zveçan, NATO reagon ashpër ndaj lëndimit të trupave të KFOR-it

“Dënojnë fuqishëm sulmet e paprovokuara kundër trupave të KFOR-it në veri të Kosovës.”

Kështu thuhet në reagimin e bërë publik nga NATO, në lidhje me situatën tepër të tensionuar në veri të Kosovës.

Këtë të hënë pranë ambienteve të komunës së Zveçanit, janë sulmuar në mënyrë të paprovokuar oficerët paqeruajtës të NATO-s, ka protestues dhe persona të maskuar të palës serbe. Ndaj trupave të KFOR-it është përdorur një mori me objekte të forta si gurët, shkopinjtë e deri tek bombat molotov.

Radio Evropa e Lirë ka mundur të filmojë disa momente me të vërtetë dramatike, atje ku dallohet sesi një sërë oficerësh janë shtrirë në tokë, pasi janë goditur nga serbët.

Në reagimin e kësaj mbrëmje, komunikata e NATO-s shkruan:

”NATO dënon fuqishëm sulmet e paprovokuara kundër trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, të cilat kanë çuar në plagosjen e një numri prej tyre. Sulme të tilla janë krejtësisht të papranueshme. Dhuna duhet të ndalet menjëherë. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga veprimet që nxisin më tej tensionet dhe të angazhohen në dialog. KFOR-i do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të paqes dhe do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme, në përputhje me mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999”.

Nga KFOR-i është njoftuar se të paktën 25 ushtarë të misionit paqeruajtës janë plagosur.

 “Duke iu kundërvënë turmës, disa ushtarë të kontingjentit italian dhe hungarez të KFOR-it ishin objekt i sulmeve të paprovokuara dhe plagëve të marra trauma me thyerje dhe djegie nga shpërthimi i mjeteve ndezëse”, thuhet në njoftim e KFOR.

Ushtarët janë trajtuar nga njësitë mjekësore dhe tanimë janë nën vëzhgim.