Pamje të rralla, momenti kur kallamari masiv tenton të gllabërojë kameran

Një specie e kallamarit të ujërave të thella është filmuar nga një kamera e stacionuar 1000 metër poshtë sipërfaqes së oqeanit Paqësor.

Pamjet janë regjistruar nga një kamera e fiksuar në një strukturë metalike e cila është hedhur në oqean pikërisht me qëllim studimin e krijesave të thellësive të mëdha, nga ana e Universitetit të Australisë Perëndimore.

E fatmirësisht për studiuesit atje, një prej këtyre krijesave misterioze, është afruar me qëllim për të gllabëruar strukturën që imiton një karrem. Kamera ka filmuar një kallamar dana (lat. Taningia danae). Krijesa e gjatë mëse 2 metër, shihet teksa hap tentakulat e saj për të gllabëruar kameran. Në momentin kur predatori sulmon, në video dallohen qartë dy tentakula të cilat i përngjajnë fenerëve. Në të tilla thellësi të jashtëzakonshme, drita e diellit nuk depërton dhe zona atje është plotësisht e errët. Studiuesit besojnë se dy ‘fenerët’ e këtij kallamari masiv shërbejnë për të paralizuar prenë, veçse pak fraksione të sekondit para se kallamari të gllabërojë ‘viktimën’ e radhës.

Dritat që i përngjajnë fenerëve, quhen fotofore, dhe janë organe në madhësinë e një kokrre limoni të cilat reagojnë kur bien në kontakt me oksigjenin për të lëshuar dritë. Studiuesit besojnë se fotoforet e kallamarit dana, janë më të mëdhatë në të gjithë mbretërinë e kafshëve.

“Shumica e njohurive tona mbi këtë lloj specie vjen kur ato dalin në bregun e detit, ose kur peshkohen aksidentalisht nga peshkatarët.”-tha për BBC-në Profesor Alan Jamieson, nga Universiteti i Australisë Perëndimore (UWA)