Pamje, të shtëna në mitingun e Donald Trump, ish- Presidenti plagoset

Një sërë të shtënash me armë zjarru u dëgjuan në mitingun që po mbante këtë të shtunë në Pensilvani ish Presidenti i SHBA-ve Donald Trump. Dyshimet janë se një person ka tentuar të vrasë Donald Trump. Fillimisht dëgjohen të shtënat ndërsa më pas Trump vë dorën tek veshi i tij. Menjëherë ish-Presidenti Trump mbulohet nga forcat e Shërbimit Sekret, ndërsa disa sekonda më vonë mikrofoni kap fjalët “qitësi është poshtë”. Pas kësaj oficerët e shërbimit sekret lëvizin ish Presidentin, ndërsa ky i fundit dëgjohet teksa i thotë “më lini të marr këpucët”. Më tutje Trump ngre grushtin dhe largohet nga podiumi.

Nga ajo që raportojnë media amerikane, një person dyshohet se ka mbetur i vdekur. Informacionin e ka përcjellë ABC-ja duke iu referuar burimeve në policinë e kontesë ku mbahej mitingu

Nga ajo që raportojnë së fundmi mediat ndërkombëtare, ish-Presidenti është lënduar, por jashtë rrezikut për jetën. Disa foto të shkrepura nga Associated Press tregojnë se Trump është lënduar në pjesën e veshit dhe është gjakosur.

Në lidhje me incidentin ka reaguar Anthony Guglielmi, shefi i komunikimit në Shërbimin Sekret amerikan.

“Një incident ndodhi pasditen e 13 korrikut në një miting të Trumpit në Pensilvani. Shërbimi Sekret ka marrë masat mbrojtëse dhe ish-Presidenti është i sigurt. Tanimë rasti po hetohet nga Shërbimi Sekret dhe informacione të mëtejshme do të jepen në një moment të dytë”