Pamje të trishta në Tiranë: Shoferi keqtrajton kafshën, policia e arreston

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 58 vjeçar i cili kishte lidhur dhe tërhiqte me makinë një kafshë. Video u bë publike në rrjetet sociale. Autoritetet kanë mundur të identifikojnë personin përgjegjës, i cili rezulton që të mos kishte as leje drejtimi e qarkullimi për mjetin.

Njoftimi i policisë:

Në lidhje me një video të postuar në portale, në të cilën shfaqet një shtetas duke tërhequr një kafshë, me automjet, ju sqarojmë se:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore, pas publikimit të pamjeve filmike, kanë nisur menjëherë verifikimet për identifikimin e drejtuesit të automjetit. Nga verifikimet ka rezultuar se drejtuesi i automjetit, shtetasi Xh. M., 58 vjeç, e drejtonte automjetin pa leje drejtimi dhe kishte mangësi në dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim.

Në përfundim të veprimeve për këtë rast u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin Xh. M. Gjithashtu, ndaj këtij shtetasi u vendos masë administrative në bazë të Kodit Rrugor, për mangësitë në dokumentacionin e automjetit.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë të gjitha rastet e paligjshmërive dhe i fton sërish ata që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112.