Reshjet e dendura të dëborës dhe moti i ftohtë me erë kanë sjellë një sërë problematikash në akset rrugore në veri dhe verilindje të vendit. Si pasojë e dëborës, bypass-i i Qafë Murrizit në Rrugën e Arbrit është bllokuar.
Policia njofton se po punohet për hapjen e aksit rrugor, ndërsa lëvizja nga Peshkopia drejt Tiranës do të kryhet nga aksi i vjetër rrugor.
Në qytetin e Dibrës po ashtu ka patur reshje të dendura dëbore, siç duket edhe nga fotot e mëposhtme.
Në lidhje me qarkullimin rrugor në akset rrugore Peshkopi- Maqellarë- Bulqizë dhe Peshkopi- Kalaja e Dodës- Kukës, mjetet do të duhet të lëvizin me zinxhirë.
Në qarkun e Shkodrës po ashtu, reshjet e dëborës kanë qenë të dendura. Zonat më problematike janë ato malorë në Dukagjin e Malësi të Madhe. Në akset rrugore Bogë- Qafë Thore dhe Fushë Arrëz- Iballë, segmente të caktuara janë bllokuar prej dëborës. Bora atje ka arritur mbi 20 centimetra trashësi.
Në akset Kir- Mali i Shoshit, Fushë Arrëz, dhe Fushë Arrëz – Qafë Mali – Fierzë, lëvizja bëhet me zinxhirë.