Pamje video, mësuesi në Turqi i shpëton jetën nxënësit 13 vjeçar

Çetin Çelebi, një djalë 13 vjeçar, po luante gjatë orës së pushimit me shokët e tij në oborrin e shkollës, kur papritur u rrëzua në tokë. Adoleshenti kishte humbur ndjenjat. Fëmijët e tjerë nisin të thërrasin për ndihmë. Pak metra më larg në korridor po kalonte mësuesi i shkencës Husein Aktash, i cili menjëherë vrapoi drejt fëmijëve dhe 13 vjeçarit.

Mësuesi kontrollon nëse i mituri po merrte frymë, ndërsa më tutje nis t’i bëjë masazh kardiopulmonar (CPR).

“Dëgjova fëmijët që thërrisnin për ndihmë, thonin se Çetin-it i ranë të fikët. Vrapova atje dhe pasi pashë nëse 13 vjeçari po merrte frymë, nisa t’i bëj masazh në zemër. Pas 2-3 minutash, ai filloi të përmendej dhe të merrte frymë. Ambulanca erdhi më vonë dhe e dërguan në spital. Shpresoj që Çetin të shërohet sa më shpejt dhe të jetë sërish mes nesh. Mesa më kanë thënë, ai është më mirë”-tregoi mësuesi për median turke.