Pamje video, momenti kur banditë të maskuar hyjnë gjatë transmetimit në TV publik në Ekuador

Një seri me ngjarje të dhunshme nëpër rrugët e burgjet e vendit kulminoi me një sulm të disa personave të armatosur në një studio televizive në Guajakil të Ekuadorit.

Njerëz të maskuar e të armatosur, pjesë e një prej bandave të shumta atje, hynë me dhunë në televizionin publik TC, atje ku po transmetohej live edicioni lajmeve.

Pamjet video bënë xhiron e botës, ndërsa pas disa minutave tensioni e frike, autoritetet mbërritën në godinën e televizionit dhe arrestuan personat e maskuar. Gjithçka vjen fill pas arratisjes nga burgu i Guajakil i bosit të bandës Choneros, i njohur me pseudonimin Fito (emri i tij i vërtetë Adolfo Macias Villamar).

Presidenti i Ekuadorit Daniel Noboa deklaroi se një “konflikt i brendshëm i armatosur” ka ndodhur në vend dhe se ai ka mobilizuar ushtrinë për të kryer “operacione për të neutralizuar” ato që ai i quajti si grupe të krimit të organizuar e organizata terroriste”.

Në Peru ndërkohë, qeveria urdhëroi dislokimin e një serie forcash të rendit në kufirin me Ekuadorin, për të parandaluar rrezikun e “importimit” të destabilitetit në vend. SHBA-të kanë dënuar sulmet e dhunshme të ndodhura në Ekuador si dhe kanë deklaruar se janë në kontakt të afërt me Presidentin e Ekuadorit për t’i ardhur në ndihmë në çdo moment.

Ditët e fundit në Ekuador ka patur një seri kryengritjesh nëpër burgjet e vendit, shumë prej të cilave kanë sjellë dhe arratisjen e disa të burgosurve. Si një ndër vendet kyçe në transportimin e lëndëve narkotike (kokainës), Ekuadori po përballet me krizën më të madhe të viteve të fundit. Për këtë arsye Presidentin vendit ka vendosur të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme ku parashikohet shtetrrethim dhe një orar policor.