Pamje video, veriu Italisë përballet me stuhi të fuqishme: Një e mitur humb jetën

Veriu i Italisë është “zgjuar” këtë të martë nga stuhi të fuqishme me erëra që arritën shpejtësi deri në 100 km/h. Të paktën 2 persona kanë humbur jetën në 24 orët e fundit. Një vajzë 16 vjeçe gjeti vdekjen pasi një pemë u rrëzua në tendën ku ajo po flinte. Vajza ndodhej në një kamp veror në Lombardi. Më herët (në Brianza) një grua humbi jetën, sërish për shkak të rënies së një peme.

Në Milano ndërkohë, banorët janë përballur me një stuhi të fuqishme shiu e erërash. Disa qytetarë kanë publikuar video në rrjetet sociale, duke thënë se nuk kanë përjetuar ndonjëherë të tillë stuhi në Milano.

Na Venezia janë publikuar po ashtu video të disa reshjeve të fuqishme të breshërit. Në video dallohet se breshëri ka një madhësi të konsiderueshme e nga pamjet duket sikur uji po “bombardohet”.

“Copat e akullit ishin sa një mollë” tha këtë mëngjes kreu i rajonit të Venetos Luca Zaia.

Dëmet kanë qenë të konsiderueshme, ndërsa autoritetet kanë raportuar për një sërë personash që kanë mbetur të lënduar.

Një tjetër pamje gjen në jugun e Italisë ndërkohë, atje ku vijojnë temperaturat ekstreme dhe zjarret masive. Autoritetet në aeroportin e Palermos u detyruan të pezullojnë punën, pasi bimësia në rrethinat e aeroportit u përfshi nga flakët. Vatra e zjarrit atje, është veçse njëra nga dhjetëra zjarret që janë përhapur në Siçili.