Pamje video, zjarret masive kaplojnë Mesdheun: Në Algjeri humbin jetën të paktën 34 persona

Zjarret e fuqishme në këto ditë të nxehta kanë përfshirë të paktën 9 shtete të Mesdheut.

Së fundmi Kroacia e Portugalia po përballen me shpërthimin e vatrave të zjarrit nëpër pyje e zona me bimësi, duke bërë të nevojshme ndërhyrjen e mijëra e mijëra zjarrfikësve.

Veriu i Afrikës po ashtu, posaçërisht Algjeria, po përballet me temperatura eksteme e shpërthimin e flakëve që fryhen për shkak të erërave të forta.

“The Guardian” ka publikuar një seri me video në shtetet e rajonet e përfshira nga zjarret. Pamjet ngjasojnë me skenarët ‘apokaliptikë’ të filmave.

Në Algjeri humbën jetën të paktën 34 persona si pasojë e zjarreve, ndërsa në terren (që nga dita djeshme) kanë dalë 8 mijë zjarrfikës për t’u përballur me flakët. Zjarret dogjën mijëra hektarë përgjatë 15 provincave, duke detyruar autoritetet të evakuojnë më shumë se 1500 persona nga shtëpitë e tyre. Dëshmitarët okularë e përshkruajtën zjarrin si një “mur prej flake” që merrte përpara çfarë gjente.

Media algjeriane TSA raportoi duke iu referuar Agjencisë Meteorologjike të vendit, se temperaturat kanë shkuar në 50 gradë celcius në disa rajone. Në mesin e dhjetëra të vdekurve, 10 prej tyre ishin ushtarë të cilët mbetën të bllokuar nga flakët në Beni ksila, në provincën e Bejaia.

Edhe Tunizia fqinje, është përfshirë nga flakët për shkak të erërave të forta. Agjencia e lajmeve atje (TAP) raportoi për të paktën një vdekje, atë të një drejtori shkolle i cili u asfiksua nga tymi i zjarrit në Nafza.

Photograph: Fethi Belaid/AFP/Getty Images

Italia ndërkohë, është përballur me zjarret e temperaturat ekstreme në jug, ndërsa në veri të vendit banorët u përballën me stuhi të fuqishme që i morën jetën disa personave. Siçilia (jugu vendit) veçanërisht, është përballur me zjarre masive dhe vdekjen tragjike të dy të moshuarve. Çifti në të 70-tat u gjet i pajetë në shtëpinë e shkatërruar nga flakët. Temperaturat në Catania regjistruan 47.6 gradë të hënën.

Së fundmi Greqia, shteti më i goditur nga zjarret massive. Në ishullin e Rodosit autoritetet janë detyruar të evakuojnë thuajse të gjithë banorët, afro 30 mijë vetë, përfshi këtu edhe turistët e shumtë.