Pamjet nga Shkodra, i mori jetën 51 vjeçarit pas sherrit për qiranë, përfundon arratia e autorit

Policia ka mundur të arrestojë këtë të mërkurë 34 vjeçarin Lekë Vuksani, personi i cili i mori jetën 51 vjeçarit Petrit Vuksani, fill pas një debati në lidhje me pagesën e qirasë.

Pas afro 21 orësh kërkime, 34 vjeçari është ndaluar nga forcat speciale Renea. Në orët e mbrëmjes, Lekë Vuksani kishte kërcënuar një grua në rrugën Pjetër Budi në Shkodër dhe kishte hyrë me dhunë në shtëpinë e saj për të fshehur aty.

“Strukturat operacionale të DVP Shkodër dhe ato të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA, pasi 21 orësh, si rezultat i kërkimeve dhe ndjekjes së pandërprerë policore, me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, kanë bërë të mundur lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasit L. V., 34 vjeç, banues në Shkodër.

34-vjeçari u lokalizua në banesën e një shtetaseje, në rrugën “Pjetër Budi”, Shkodër, banesë në të cilën kishte mundur të strehohej pasi gjatë natës kishte kërcënuar pronaren e kësaj banese për t’i hapur derën dhe për të mos kallëzuar.

Gjithashtu, në të njëjtën banesë, u gjet edhe arma e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se autori kreu vrasjen.

Shtetasi L. V. dyshohet se rreth orës 12:15, të ditës së djeshme, në lagjen “Tom Kola”, vrau me armë zjarri automatik, në banesë, shtetasin P. V., 51 vjeç. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.”-njoftuan autoritetet.