Një 32 vjeçar ka rënë në prangat e policisë së kryeqytetit, pasi akuzohet për grabitjen e automjetit të një qytetari, i cili është kërcënuar prej autorit me një thikë.
Grabitja ka ndodhur ditën e mërkurë në hyrje të një mobilerie, atje ku 32 vjeçar ka hyrë dhe ka kanosur me thikë pronarin e një automjeti të parkuar në hyrje të dyqanit. Kamerat e sigurisë kanë filmuar momentin e grabitjes, teksa autori i dyshuar kërcënon me thikë qytetarin. Në një moment, grabitësi heq xhupin dhe thika i bie nga duart, kohë kur qytetari gjen çastin për t’u larguar prej rrezikut.
“Si rezultat i hetimeve të shpejta hetimore dhe profesionale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 është lokalizuar dhe arrestuar shtetasi I. L., 32 vjeç, banues në Durrës.
Ditën e djeshme, ky shtetas dyshohet se ka hyrë në një mobileri dhe në kërcënimin e një mjeti prerës, i ka vjedhur një shtetasi çelësin e automjetit të cilin e kishte parkuar në hyrje të mobilerisë. Automjeti u gjet i braktisur në rrugën “Babë Rexha” dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.”-njoftoi policia.